Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Jorgos Margaritis: “Çamët u vranë në emër të spastrimit kombëtar e fetar”

    Jorgos Margaritis: “Çamët u vranë në emër të spastrimit kombëtar e fetar”

    Postuar në: Dossier | Me: 19/06/2013

    Enver KushiDëshmi të një historiani grek…

    Nga Enver Kushi

    Vijon nga numri i kaluar…

    Botimi i librit të historianit grek Jorgos Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar, të dhëna mbi shkatërrimin e minoriteteve të Greqisë”, nga shtëpia botuese “Bota shqiptare” në vitin 2010, ishte një ngjarje jo vetëm se plotësonte një boshllëk në botimet për këtë problem, por edhe se vinte nga një historian i vendit fqinj, Greqia. Për fat të keq, ndryshe nga botimet letrare, lexuesi shqipar pak është njohur me veprat e historianëve, grekë, veçmas me ato që trajtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve tanë apo fatin e minoritetit shqiptar çam në Greqi. Jorgos Margaritis lindi në Athinë në vitin 1954. Ai jep historinë moderne në degën e shkencave politike në Universitetin “Aristoteli të Selanikut. Në veprat e tij, Margaritis , është marrë kryesisht me Luftën e Dytë Botërore në Greqi, Rezistencën Greke si dhe me një nga periudhat më tragjike të popullit grek, Luftën Civile.
    Historiani grek, ndryshe nga mendimi dhe qëndrimi zyrtar se në Greqi, asnjëherë nuk ka patur probleme me komunitetet dhe minoritetet, paraqet në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar” një realitet tjetër me ngjarje e ndodhi dramatike dhe tragjike.
    I mbështetur në tekste të botuara dhe burime të shumta arkivore, Margaritis trajton fatet e komunitetit hebre dhe minoritetit shqiptar çam në Greqi. Kjo trajtesë vjen në rrafshin historiko- kronologjik, që pas kryengritjes së vitit 1821, pavarësisë së shtetit grek dhe deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek që në fillimet e jetës së tij nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare.
    Pjesa e parë, në kapitujt “Antisemitizmi grek: një udhëtim, 1821, 1891, 1931, “Shfarosja e hebrenjve të Greqisë: Ideologjia, tensionet shoqërore dhe koniuktura, “Hebraizmi grek dhe Rezistenca Antifashiste, “Kisha Ortodokse Greke dhe Holokausti, Jorgos Margaritis me fakte tronditëse jep shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut. Sipas autorit, në Selanik “antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste.
    Qyteti i Selanikut u bë epiqendra e dramës së hebrenjve në Greqi, e pasuar nga Janina, ishulli i Korfuzit, Volos etj. Hebrenjtë e Greqisë, padyshim u bënë pjesë e “zgjidhjes përfundimtare, të cilën e frymëzuan, e organizuan dhe e realizuan nazistët në shkallë mbarë evropiane. Gjithsej, nga afro 70. 000 hebrenj grekë në vitin 1940, më shumë se 50. 000 prej tyre u shfarosën në kampet e vdekjes, pra shumë që e tejkalon 70%. Shifrat, shkruan autori, parashtrojnë pyetje të caktuara vendimtare, përgjigjia e të cilave i referohet tërthorazi ose drejtëpërdrejt shoqërisë greke, klimës që mbizotëronte në të, si dhe koniukturat gjatë periudhës së pushtimit”.
    Në pjesën e dytë “Peripecitë e çamëve deri në dëbimin e tyre gjatë dhjetëvjeçarit të 40- ës, Margaritis jep fatin tragjik të minoritetit tjetër historik në Greqi: të çamëve. Periudha së cilës i referohet autori, 1912- 1944, është e mbushur me tensione dhe urrejtje dhe “kur u kthye lufta në fillimet e dhjetëvjeçarit të 1940-së dhe bashkë me të u hapën në çdo vend kacekët e Eolit, retë e pasioneve dhe të kërcënimeve përfunduan në stuhi.
    Autori ndjek në rrafshin historiko-kronologjik, politikën e qeverive të ndryshme greke ndaj minoritetit shqiptar të Çamërisë, dëbimet sistematike të këtij minoriteti, egërsinë e tmerrshme të nacionalistëve grekë në kurriz të çamëve në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sipas historianit grek, shkatërrimi i minoritetit çam përbën një ngjarje unike në Greqinë e dhjetëvjeçarit të vitit 1940. Shkatërrimi i këtij minoriteti, dhuna e përdorur, dëbimi masiv i çamëve nuk mund të krahasohet me shkatërrimin e komuniteteve hebraike, vepër e nazistëve gjermanë në kuadrin e “zgjidhjes përfundimtare, me gjithë veprimet dhe bashkëveprimet pasive të faktorëve grekë në këtë proces.
    Ai nuk mund të krahasohet as me fatet e sllavomaqedonasve gjatë të njëjtës periudhë, i cili u lidh me konfliktet e përgjithshme në hapësirën greke dhe veçanërisht me Luftën Civile. Fati i çamëve, shkruan Margaritis, nuk ka asgjë të përbashkët as me peripecitë e asaj kohe të autonomistëve vllahë ose të myslimanëve të Trakës. Përfundimi logjik i autorit është se “ngjarjet e Thesprotisë ngjasojnë më shumë me ato që ndodhën në Ballkanin verior, në Jugosllavi”.
    Pra kemi të bëjmë me spastrim etnik, ose më saktë “një shpërthim të dhunës, që synonte mbylljen e çështjeve të minoriteteve me metodën më radikale: metodën e zhdukjes së popullsive minoritare.
    Të rrënqethin faktet tronditëse jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913 (pas rënies së Janinës dhe kur Çamëria u pushtua nga ushtritë greke), të viteve 1923-1926, 1930-1940, por veçanërisht ato që Jorgos Margaritis, jep në këtë libër (faqe 141) për qytetin e Paramithisë më 26 -27 qershor 1944: Më 26 qershor, sektorë të Divizionit X të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, duke shfrytëzuar tërheqjen e grupeve ushtarake gjermane nga zona, sulmuan Paramithinë dhe e pushtuan atë, pas një rezistence shumë të shkurtër të milicisë çame. Me gjithë premtimet, brenda pak ditëve, më 27 qershor, ditën e parë të “çlirimit”, qyteti u kthye në thertore. Të gjitha dëshmitë, nga çfarëdo palë që të vijnë, bien dakord në shtrirjen dhe dhunën e vrasjeve e të keqtrajtimeve në kurriz të banorëve myslimanë. Me qindra e qindra vetë – numri është i panjohur, por ndoshta afrohet rreth pesëqind personave – u vranë me mënyrat më çnjerëzore, brenda dhe përreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër. Pasditen e së njëjtës ditë, mbërriti në qytet major Kranias, komandant i Regjimentit të 16-të të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke. Ai mori vendimin për dënimin e shkaktarëve kryesorë, domethënë ekzekutimin e 34 çamëve, të cilët i kishin shpëtuar masakrës. Ky vendim gjeti zbatim të menjëhershëm.

    Margaritis paraqet në këtë libër spastrimet e fshatrave myslimane në jug të Kalamait si dhe dëbimin e banorëve në veri të lumit dhe kryesisht në zonën e Sajadhës dhe Filatit; rikthimin e shumë çamëve në dhjetorin e vitit 1944 dhe aktin final të tragjedisë çame: pas marrëveshjes së Varkizës, grupet e Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, që ishin strehuar në Korfuz, si grupe të Gardës Kombëtare, u kthyen në Çamëri. Ata vazhduan veprën e tyre kriminale, që e kishin lënë përgjysmë, duke masakruar qindra çamë të tjerë në Filat dhe rrethinat e tij. Kështu mbyllet sipari i tragjedisë çame, “bashkëqytetarëve tanë të vjetër që u vranë barbarisht në emër të spastrimit kombëtar dhe fetar, konkludon historiani grek Jorgos Margaritis.
    Ky është libri i historianit grek, një zë përgjithësisht objektiv që vjen nga Greqia, fqinji jugor. Në përfundim të këtyre shënimeve, më vijnë ndërmend fjalët e historianit tjetër grek, Niko Zhangu, i cili në një nga veprat e tij për ato që ndodhën në Çamëri, shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”. Gjithashtu kujtoj Homerin e madh dhe tragjedianët e shquar të Greqisë, mesazhet e veprave të tyre, dënimin e krimit dhe katharsin, që përbën thelbin e veprës së tyre. Kujtoj vjershën e shkëlqyer “Kuajt e Akilit, të një prej poetëve të shquar grek, Kavafis. Është një vjershë që i flet të shkuarës dhe të sotmes jo vetëm të Greqisë së qytetërimit të madh, por edhe asaj botërore. Njerëzimi ka nevojë për lotët e “kuajve të Akilit”. Me të drejtë, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, ka thënë se “kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më shumë dhe e duan më shumë njëri-tjetrin.

    Dëshmi të shtypit amerikan

    Gjendja pikëlluese në të cilën gjenden çamët që banojnë në Shqipëri, është e përshkruar në një listë të zonjushës Lovely, anëtare e familjes të Manchester dhe që shërben si sekretare pranë misionit të UNRRA në Shqipëri. Zonjusha Lovely shpjegon gjendjen e çamëve. Sipas saj kjo gjendje do të shkaktojë një farë jehone në mes të çamëve të Hartfordit që është konsideruar si qendra e çamëve në Shtetet e Bashkuara. Tani Shqipëria strehon më shumë se 25000 çamër, pjesa më e madhe e së cilës përbëhet nga gratë dhe fëmijët të instaluar nëpër kanune të ndryshme (bashkësi) gjatë luftës në Greqi, fshatrat e tyre u shkatërruan dhe ata shpëtuan duke u strehuar në Shqipëri.

    Muajin e kaluar, UNRRA në marrëveshje me qeverinë shqiptare, u dha si ndihmë këtyre të fundit dhe në hapësirën e 5 ditëve, 329 tonë artikuj të ndryshëm. Në dy kampet që kam vizituar në Elbasan, shkruan zonjusha Lovely, çamët jetonin në një mjerim të vërtetë. Çdo dhomë ishte e ndarë më dysh dhe strehoheshin dy familje, numri i të cilave ndryshonte nga 11 deri 12 vetë, fut këtu edhe pleqtë dhe të sëmurët. Mobiliet e vetme ishin hasrat e shtrira në tokë duke lënë në mes të dhomës vijën ndarëse ndërmjet dy familjeve. Kishte gjithashtu edhe orenditë e nevojshme për të përgatitur ushqimin e tyre. Ushqimi për shumë javë përbëhej nga një bukë e thatë për kokë dhe kjo qe e një cilësie të keqe. Një grup tjetër që kishte më shumë shans kishte vënë një tenxhere për të zier supën. Kjo supë përbëhej nga mielli dhe disa perime me qëllim që të jepnin pak aromë. Një fëmijë 5 muajsh qe ushqyer me një lloj mielli të përzier me ujë. Në fund të dhomës gjendeshin dy burra dhe dy djem të rinj. Pleqtë me tu afruar ne, donin të ngriheshin, por nuk mundën ta bënin këtë, për shkak të gjendjes së dobët ku ata ndodheshin. Pas këtyre fakteve dhe këtyre dëshmive, çfarë konkluzioni mund të nxjerrim nga deklarata e famshme e M. Pangalos e bërë më 1926 në kohën kur ai ishte ministër i Parë i Greqisë? Në Epir ne kemi disa mijëra çamë të njohur nga ne dhe që formojnë në shtetin tonë pakicën shqiptare. Në qoftë se në të kaluarën ka pasur disa veprime të pahijshme nga ana e organeve të pushtetit në dëm të çamëve, kjo nuk përbën në asnjë mënyrë një trajtim kundrejt tyre. Në të kundërt, qeveria është e frymëzuar nga dëshirat më të mira dhe është e vendosur, të dënojë pa mëshirë çdo veprim të keq kundër pakicave, që rrjedh nga ana e disa personave të papërgjegjshëm dhe të rrëmbyer, dhe të zbatojë plotësisht zotimet të cilat rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare ndaj pakicave në Maqedoni dhe në Epir. Përfundimi që rezulton, është një akuzë e pamëshirshme kundër qeverisë greke. Në fakt, tragjedia e pakicës shqiptare çame në Greqi nuk është vetëm një krim i shëmtuar në vetvete që revolton çdo njeri të ndershëm, por ajo tregon për një etje të pashuar ndaj krimit të personave që qeverisin sot Greqinë. Mund të krahasosh vetëm me ushtarët hitlerianë, me Gestapon dhe me S.S gjermane, sepse, si ata dhe këta dogjën, përdhunuan dhe vranë një popullsi të tërë. Por Napolon Zerva që udhëhoqi masakrat në masë, sot është ministër i Sigurimit Publik në Greqi, dhe shokët e tij qeverisin Greqinë dhe bëjnë ligjin në këtë vend. Gjithë varret, gërmadhat e Çamërisë, gratë dhe vajzat e përdhunuara, vuajtjet e refugjatëve në Shqipëri, si dhe deklaratat e personaliteteve të huaja janë aktakuza kundër qeverisë monarko-fashiste greke. Ato janë provat e politikës gjakësore dhe agresive të qeverisë greke ndaj popullit shqiptar, ato janë provat e një krimi ndaj ndjenjave njerëzore.

    (Marrë nga gazeta “The Hartford Times”, Connecticut, Etats – Units, e datës 9 nëntor 1945.)

    http://www.kombetare.al/jorgos-marga...betar-e-fetar/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Për: Jorgos Margaritis: “Çamët u vranë në emër të spastrimit kombëtar e fetar”

    5 Responses to Jorgos Margaritis: “Çamët u vranë në emër të spastrimit kombëtar e fetar”

    viktor 19/06/2013

    Botojini shkrimet tuaja, studimet tuaja ne anglisht, gjermanisht ,frengjishtr , rusisht e greqisht qe e tere bota ta marre vesh kete tragjedi qe ka ndodhur ne Greqi dhe ne ish Jugodllavi.
    Edhe kjo gazete te botohet ne internet ne version anglisht, frengjisht , gjemanisht e spanjisht e rusisht.
    Ti behet thirrje diaspores shqiptare kudo ne bote te ngreje nje Institut studimesh qe te mbledhe provat e spadtrimit etnik te shqiptareve ne Ballkan dhe te hape gjyqe nderkombetare per denimin e spastrimeve etnike dhe kthimin e pasuribe te grabitura.Merrni shembull nga Izraeli dhe hebrenjte.

    gjergji 20/06/2013

    viktor do ishte mrekulli se me i perkthyer ne gjermanisht asnjehere nuk japin perkthim te sakte se si i thone shqiperim ose duhet perkthyer qe te kete kuptim ne gjermanisht -pse jo se faktet jane ne nuk po rrejme a fallsifikojme -klm apropo((-mua me vijne ifo nga arkiva-por kur ju a tregon ju duket sikur po ju tregon dicka te pabesueshme se politika ka bere pune kolosale ))

    Dibrani Tiranes 20/06/2013

    Me vjen shume mire qe po rritet presioni qe artikujt historike qe tregojne per genocidin grek ndaj popullsise shqiptare te Camerise te botohen edhe ne gjuhe te ndryshme.Mos harroni se duhen botuar edhe ne gjuhen hebreje,turke e Italiane.

    Sali Bollati 20/06/2013

    Me vonese, por me mire vone se kurre, sic thote fjala e urte e popullit.Shume mire qe publikohen emrat emasakruara nga shovinistat greke. Ato nuk mund te harrohen.Nga familja Bollati u vrane me 27 Qershor 1944: Imam Muharem Bollati-82 vjec, Ibrahim Bollati-52 vjec, Betulla Bollati-36 vjec, Ferhat Bollati-13 vjec.Ne burgun ose me mire ne kampin e perqendrimit te Paramithise vdiqen nga uria dhe semundjet Ruhije Bollati-72 vjec, Makbule Bollati-2 vjece dhe rruges per Shqiperi vdiq nga uria dhe semundja Faruk Bollati-5 vjec. Te mos harrohet gjithashtu Sanije Bollati qe u dogj me benzine, po keshtu Nelo Demi-27 vjecar bashke me vellezerit e tije -Refit

    Sali Bollati 20/06/2013

    Dhe “çudia e bashkëpunimit” vazhdon…….!
    ÇAMËRI !!
    Sa vrer është derdhur për gati 50 vjet mbi banorët e saj autoktonë! Sa viktima, sa krime, sa masakra ka përjetuar popullsia e asaj treve! Dhe sikur të mos mjaftonte gjenocidi i skajshëm grek, sa shpifje të paskrupullta u thurën në adresë të atij populli që kaloi nëpër kalvarin e vuajtjeve të papërfytyrueshme gjatë një shekulli që qé tepër i trishtë për të. Një fat i kobshëm i bëri njerëzit e asaj krahine objekt i shfrimit çnjerëzor të një mase të madhe fanatikësh të droguar nga urrejtja fetare. Tehu i goditjes kanë qenë çamët e besimit islamik. Grekët nuk arrinin ta konceptonin dot se si dy komunitete, me besime të ndryshme, t’i takonin të njëjtit popull. Dhe në funksion të idesë së tyre fikse e të prapambetur, ushtruan një diskriminim të thellë në gjirin e popullsisë çame, duke u përpjekur, me të gjitha mënyrat, të ngjallin përçarjen ndërmjet tyre. Në krahinën e Çamërisë, si në të gjitha krahinat e tjera shqiptare, ka ekzistuar një harmoni dhe mirëkuptim i plotë ndërmjet çamëve ortodoksë dhe atyre myslimanë. Të njohura kanë qenë vazhdimësitë farefisnore, me përkatësi në të dy besimet, të shumë familjeve si Rojbatët, Kleftatët e të tjerë. Madje edhe nga familje të pasura si Pronjatët ka pasur martesa shqiptarësh të feve të ndryshme. Një dukuri që dëshmonte se, veç tokës ku kishin lindur, ata i bashkonte gjuha, këngët e vallet, zakonet dhe traditat. Të paharruara kanë mbetur luftimet e bejlerëve të Çamërisë kundër Pashait të Janinës për të mbrojtur vëllezërit shqiptarë të Sulit. E kjo ndodhi sepse tek ata ishte e fortë ndjenja e përkatësisë së njëjtë etnike me suliotët trima e të papërkulur. Në kontrast me këtë qëndrim shqiptar, ai grek ishte krejt tjetër. Në pajtim me politikën shoviniste të “megaliidhesë”, që nga pushtimi i Çamërisë më 1913, autoritetet greke i kanë konsideruar çamët-ortodoksë si grekë, ndersa ata myslimanë si turko-shqiptarë. Persekutimet, shpronësimet, ndalimi dhe mos-hapja e asnjë shkolle në gjuhën shqipe kishin të vetmin qëllim , të mohonin shqiptarinë e Çamërisë. Nikolas Geixh (alias Nikos Gaxojanis), në vizitën e tij private të para disa kohëve në Shqipëri, u shpreh ndaj çamëve me një gjuhë anakronike dhe thellësisht armiqësore, pavarësisht se jeton në vendin e demokracisë, të lirisë e të respektimit të të drejtave të njeriut dhe atyre të minoriteteve.Ai u kërkoi me arrogancë autoriteteve shqiptare (që fatkeqësisht nuk mbrojnë asnjë interes shqiptar) të bëjnë një regjistrim të ri të popullsisë, pasi minoriteti grek përbëka, sipas tij, mbi 30% të banorëve të Republikës së Shqipërisë, dhe qenka një minoritet që nuk paska të drejtat që i takojnë. Pyetjes së hidhur për çamët, z. Geixh iu përgjigj pa kurrfarë etike, ashpërsisht dhe me mungesë të plotë koherence ndaj “parimeve” të tij për të drejtat e minoriteteve duke theksuar se asaj popullsie i takonte shpërngulja pasi kishte qenë bashkëpunëtore me nazistët.(?!?!)Një pohim që dëshmon për një logjikë të vajtueshme.Arsyeja e vërtetë e masakrimit dhe e shpërnguljes me forcë të popullsisë myslimane të Çamërisë nga trojet e saj etnike mijëvjeçare qëndron në politikën shoviniste greke të “megaliidhesë”. Në synimet e vjetra greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut kishte një pengesë tejet shqetësuese për hartuesit e programit helenizues të Ballkanit: krahina shqiptare e Çamërisë. Ajo krahinë, me histori ,toponime, tradita, kulturë dhe gjuhë shqipe, si për shqiptarët çamë –ortodoksë ( S.Muselimi në “Istoriko Peripato ana tis Thesprotia”-botuar në Janinë më 1974, shkruan: “… Dhespoti i Thesprotisë më 1877 detyrohet të përkthejë pjesë të Dhjatës në gjuhën shqipe sepse besimtarët që vinin në kishë nuk kuptonin asnjë fjalë greqisht.”) ashtu edhe për shqiptarët çamë myslimanë, e kthente në një absurditet të gjallë të gjithë idenë e zgjerimit të madh të Greqisë drejt Veriut. Duhej “pastruar” pa tjetër ajo krahinë nga shqiptarët autoktonë, për të bërë të mundur realizimin e programit të aneksimit të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Një program që ka mbetur në axhendën e pothuajse të gjitha forcave politike greke edhe në ditët tona. Në pajtim me këtë vijë anakronike ka qenë edhe vizita e N.Gaxojanit në Shqipëri. Ai nuk shkoi atje si shtetas i Vendit të Madh të Lirisë e të Demokracisë, por si i dërguar i posaçëm i shovinistëve grekë. Ai shkoi atje për të parë nga afër arenën e “fitoreve të ardhshme”.Më 1940 , ende pa shpërthyer lufta Italo-Greke, mijëra meshkuj shqiptarë të Çamërisë, nga 13 deri në 70 vjeç, u internuan në ishujt e Egjeut dhe në Peloponez. Atje u keqtrajtuan dhe u masakruan nga autoritetet greke për të vetmin faj se ishin shqiptarë, duke lënë në mëshirën e fatit fëmijët, gratë e nënat e tyre, për t’u keqtrajtuar edhe më mizorisht. Shumë prej tyre gjetën vdekjen në kampet greke të përqëndrimit…Ndërsa djemtë çamë që thirreshin për të kryer shërbimin ushtarak, në radhët e ushtrisë greke, nuk pajiseshin me armë, por vetëm me kazma e lopata për të punuar si skllevër (M.Vickers-“Albanian Modern History”). Këta shtetas grekë diskriminoheshin e persekutoheshin vetëm se ishin shqiptarë. Isha vetëm 4 vjeç kur në qytetin tim të lindjes, në Paramithi, mbas 31 vjet pushtimi grek, u ngrit Flamuri Shqiptar. Njerëzit, të ngazëllyer, këndonim Hymnin e Flamurit. Ne fëmijët kërcenim e lodronim, ndërsa më të mëdhenjtë qanin nga gëzimi se mbaruan edhe vuajtjet nën pushtimin grek e më së fundi do ta ndjenim veten Shqiptarë në vatrat tona, pa u thelluar shumë se në çfarë situate u ngrit Flamuri Ynë aq i dëshiruar. Pas një terrori të gjatë dhe persekutimi deri në kufijtë e durimit, ardhja e një regjimi më të butë, ndonëse edhe ai pushtues, por që pranonte etnicitetin shqiptar të krahinës nuk kishte si të mos e çorientonte një pjesë të njerëzve të thjeshtë që në fund të fundit nuk e kishin atë horizont që kemi ne sot, për të gjykuar se edhe këta që erdhën janë prapë pushtues.Por këtu duhet nënvizuar një fakt tjetër shumë domethënës. Pa kaluar shumë kohë, djemtë më të ndërgjegjshëm çamë formuan një nga formacionet e para të luftës kundër pushtuesit fashist – Çetën “Çamëria”. Horzonti i gjerë atdhetar, përkushtimi, zgjuarësia dhe sakrifica e këtyre të rinjve trima çamë duhen vlerësuar edhe më shumë në krahasim me ato të një partizani të mirëfilltë grek, ndaj kombit të të cilit gjermanët qenë sjellë me një barbari të skajshme dhe që ishte e natyrshme të përfshihej pa mëdyshje në njësitet partizane. Ndërkohë që shqiptarët e Çamërisë, ndonëse kaluan nga një pushtim më i egër në një pushtim më të butë, përsëri ata e përbuzën atë duke dalë maleve për liri e duke ngritur çetën e lartpërmendur. Kjo çetë luftarake, në shkurt të vitit 1943 u rrit në Batalionin “Çamëria” që ka kryer luftime të ashpra kundër pushtuesit. Legjendare ka mbetur lufta 56-ditore kundër forcave gjermane në gusht-shtator 1943. Është e vetmja luftë frontale anti-gjermane në tokat shqiptare. Në saje të trimërisë së djemve dhe vajzave çame, gjermanët nuk mundën të shkelin Shqipërinë nga ana e Çamërisë, por u detyruan të kalojnë nga Tri Urat në Leskovik (Shih “Historia e LANÇ”, Tiranë 1986). Dhe këta djem e vajza çame vazhduan luftën kundër pushtuesit në radhët e Divizionit të 6-të të Ushtrisë NÇ Shqiptare deri në dëbimin e tij. Njëkohësisht mbi 500 djem të tjerë çamë u rreshtuan në radhët e ELAS-it, ku përbënin shumicën në Regjimentin 15, së bashku me maqedonasit e Greqisë, kundër pushtuesve nazistë. Kjo është e vërteta e të ashtuquajturit “bashkëpunim” me pushtuesit.Nëse nga radhët e popullsisë çame, të vuajtur nën regjimin grek që nga viti 1913, kanë dalë disa elementë të ekzaltuar nga propaganda fashiste për gjoja bashkimin e Shqipërisë, a mund të ketë ligj në botë, parimor apo moral, që për veprat e këtyre individëve të torturohet, përdhunohet, masakrohet dhe shpërngulet masivisht një popull i tërë?!?! Kjo, siç shënon N. Kulla në librin e tij “Dritëhije shqiptaro-greke” ishte politikë fashiste që për shkak të 10 vetëve të masakrohen 20 mijë të tjerë të pafajshëm. Nuk janë çamët fajtorë për bashkëpunim me pushtuesit, fajtorë për këtë ishin vetë grekët që nxorën nga gjiri i tyre, Ralisin, Zervën dhe gjithë ata aleatë të shumtë me nazi-fashistët që u vunë nën urdhrin e tyre kundër popullit që i lindi.Le të kujtojmë, për shembull, bashkëpunimin masiv të forcave të djathta greke me nazistët, nën drejtimin e famëkeqit gjeneral Zerva. Pushtuesit gjermanë ngritën në Athinë qeverinë kuislinge të Ralisit.Anglezi M.Mazower, në “Inside Hitler’s Greece 1941-1944”, London 1993, midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke të Zervës me pushtuesit nazistë. “…Në Athinë anëtarët e EDES-it, të komanduar nga Zerva, hynë në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend dhe për më tepër, për të pastruar Greqinë nga elementët komunistë. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e EDES-it mbanin lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit.”Po sipas dokumenteve britanike të përshkruar në librin e mësipërm, anglezët këmbëngulën që Zerva të ndërpresë lidhjet me qeverinë kuislinge të Athinës, por ai vazhdoi lojën e dyfishtë ,duke u shtirë se po angazhohej fuqimisht në luftë kundër pushtuesve nazistë, nga ana tjetër pakësonte veprimet luftarake ndaj forcave lokale gjermane, madje mbante një oficer ndërlidhës pranë shtabit gjerman në Janinë.Në librin e Woodhouse “The struggle for Greece”, London 1976, citohet: “Me fillimin e luftës civile, dokumentet gjermane nuk lenë asnjë dyshim se Zervas, ka bërë një armëpushim me ta për disa muaj të cilin e ka gjykuar krejtësisht në mënyrë të gabuar, sikur nuk ishte në kundërshtim me detyrimet e tij kundër aleatëve.”Janë pikërisht këto personazhe të forcave të EDES-it të gjeneralit Zervas të ndihmuara nga ato të kolaboracionistit, Kolonel Derlitis, komandat i Batalioneve të sigurimit që filluan sulmet dhe masakrat kundër fshatrave dhe qyteteve të Çamërisë me synim spastrimin etnik të asaj popullsie .Ja seç shkruan studiuesja greko-gjermane, Georgia Kretsi: “Më 27 qershor 1944 forcat e Divizionit 10 të EDES-it, të komanduara nga Kamaras, me miratim edhe të forcave gjermane që po tërhiqeshin , hynë në Paramithi. EDES- proklamoi se të gjithë çamët-myslimanë do të jenë të lirë e nuk do të keqtrajtohen dhe se pronat e tyre do të mbrohen. Krejtësisht në mënyrë të pabesë (mënyra tradicionale greke – shënimi im S.B) filluan spastrimin brutal etnik. Vetëm në këtë qytet mbi 300 çamë myslimanë, njerëz të pafajshëm, kryesisht gra e fëmijë, gjetën vdekjen”. Dhe tani dua t’i përcjell lexuesit një dëshmi të drejtpërdrejtë, të fiksuar në kujtesën time që në fëmijëri, një dëshmi torturuese, të rëndë, sfilitëse, ngjethëse. Gjyshin tim, M.Bollatin, 82 vjeçar, e zvarritën nëpër shkallë dhe e vranë në oborrin e shtëpisë, babain tim 52 vjeç e torturuan dhe e vranë bashkë me dhjetëra burra të tjerë në oborrin e shkollës, nënën time shtatzënë e vranë brenda në xhami, vëllain tim 13 vjeçar e vranë gjithashtu aty ku ishte fshehur, në një kaçube; ndërsa në burgun e Paramithisë ku na mbajtën për 6 muaj, bashkë me dhjetëra të tjerë, më vdiqën gjyshja 76 vjeçare ,vëllai 5 dhe motra 2 vjeçare. Kushurirën tonë, Sanije Bollatin, e dogjën të gjalle, ndërsa plakut O. Murati, mbasi i rropën së gjalli lëkurën, ia ngjitën përsëri me kripë!!!…Këto janë një pjesë e torturave dhe masakrave që kryen në qytetin tim, e më pas, me të njejtin duf shtazor, edhe në qytetin e Pargës, të Margëlliçit e në fund në Filat dhe në tërë fshatrat e Çamërisë.Jani Shara (I. Sarras), në librin e tij “Istoria tis Periohis Igoumenitsa”, botuar në Athinë më 1985, midis të tjerave shkruan: “….Familja e Muharem Bollatit, që u masakrua në mënyrë shtazarake, nuk ka pasur asnjë faj”.Ndërsa N.Zerva krenohet për mizoritë e tij duke i shkruar një miku më 1953: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmoit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha”( S.Muselimi. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë 1974.Ribotim I trete me 1997) Pohim autentik I planit grek per pastrimin e Camerise nga Shqiptaret!Në qeverinë e Athinës ishte ministër edhe N.Zerva. Më pas, në sajë të presioneve ndërkombëtare, sidomos të SHBA, pasi u zbuluan lidhjet e tij me nazistët, Zerva u detyrua të japë dorëheqjen nga qeveria greke. Megjithatë ai mbeti një “figurë e nderuar” nga autoritetet greke. Statuja e tij, me fytyrë e duar të drejtuar nga Shqipëria, qëndron në qendër të një prej qyteteve të Çamërisë Martire. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e “bashkëpunimit” të çamëve me pushtuesit.Kur në vitet 1946-1949 shpërtheu lufta civile dhe grekët filluan të vrasin njeri-tjetrin (çamët myslimanë tashmë ishin vrarë ose qenë dëbuar), atëhere i vranë edhe nënën Niko Gaxojanit (siç shkruan edhe ai vetë). Ku u gjendën çamët në atë periudhë për t’u bërë “vrasësit” e nënës së tij? Shtrembërimi i së vërtetës është skandaloz. Por me sa duket, z. Geixh i duhet një “argument” për të përligjur planet e tij të errta antishqiptare.Dhe çudia e pretendimit të bashkepunimit të çamëve vazhdonur më 1949 forcat komuniste greke ishin duke marrë fund, disa emisarë grekë, me miratim të komunistëve të Tiranës, erdhën në Shqipëri per t’ju bërë thirje çamëve, tashmë të dëbuar nga vatrat e tyre, të kthehen e të luftojnë në Greqi kundër qeverisë së ligjshme greke.Çamët me të drejtë e kundërshtuan pjesëmarrjen në një luftë të huaj, në atë luftë që bënin grekët me njeri-tjetrin! Dhe “çudia e bashkëpunimit” vazhdon. Qeveria anti-shqiptare komuniste e E.Hoxhës, i “shpërblen” duke internuar mbi 900 burra çamë në Gramsh-Lozhan, nga maji deri në dhjetor të vitit 1949, për arsye se ata nuk pranuan të luftojnë për internacionalizmin komunist?!?!Mbas viteve 70, ata komunistë grekë që luftuan me armë në dorë kundër qeverisë greke për triumfin e komunizmit, u lejuan të kthehen në Greqi, iu dhanë pensione, e ata, të frymëzuar nga komunistët sovjetikë, ringjallën partinë e dikurshme (duke mbajtur me krenari statujën e Leninit në mes të Athinës ) dhe me të “drejtën” e tyre demonstruan kundër SHBA dhe luftës së drejtë të NATO-s për mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës nga shovinistët serbë të Millosheviçit, sepse spastrimi etnik i ndërmarrë nga diktatori i Beogradit ishte identik me spastrimin etnik të shqiptarëve të Çamërisë nga famëkeqi Zerva. Tashmë ata, grekët e të gjitha rrymave e pozicioneve politike, kanë gjetur platformën e bashkimit tek ajo ndjenja e verbër e antiamerikanizmit që plotësohet njëherësh me urrejtjen ndaj shqiptarëve. Dhe kulmi i paradoksit është se një njeri jo pa rëndësi në shtabin e luftës për “megaliidhenë”, hapi i parë i së cilës konturohet nga varrosja e çështjes çame, është Nikos Gaxojanis, një qytetar …..amerikan.A mund ta ndjesh veten qytetar i SHBA, i vendit të lirisë, barazisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet racave, kombeve e popujve të ndryshëm kur thur e zbaton plane të përbindshme të urrejtjes raciale ndaj kombeve të tjerë? Vështirë ta përfytyrosh. Por jeta paska edhe paradokse të tilla. Dhe një prej absurditeteve më të pabesueshëm të kohës sonë është, jashtë çdo dyshimi qytetari ….amerikan (?!?!) Nikos Gaxojanis…
    Nga SALI BOLLATI
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •